
Shkrimtari rendit tri raste të humbura që, sipas tij, opozita më e madhe nuk arriti t’i shfrytëzojë përballë qeverisë Kurti.
Shkrimtari Azem Deliu ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke vlerësuar se partisë më të madhe opozitare po i mungon kthjelltësia politike dhe ndërtimi i një momentumi real përballë qeverisë së Albin Kurtit.
Sipas Deliut, PDK-ja duket se i ka varur shpresat kryesisht në gabimet e kryeministrit Kurti, një strategji që, siç shprehet ai, nuk është e mjaftueshme për ta kthyer partinë në pushtet. Ai thekson se PDK-ja “nuk e ka shkelur ende gazin” dhe ka humbur të paktën tri raste ideale për ta konsoliduar pozicionin e saj politik.
Rasti i parë, sipas tij, ishte zëvendësimi i Memli Krasniqit me Bedri Hamzën. Deliu vlerëson se ky duhej të ishte momenti i njësimit të kandidatit për kryeministër me kryetarin e partisë, që do të mobilizonte votuesit. Megjithatë, ai mendon se Hamza është tepër i butë për një betejë që pritet të jetë e ashpër dhe se strategjia e fushatës pozitive nuk është ndjekur deri në fund. Sipas tij, qasja ndaj Kurtit duhet të jetë ose injorim i plotë, ose përballje frontale, pasi “mikset politike bëjnë vetëm dëm”. Ai kritikon gjithashtu kthimin e Ramiz Lladrovcit në parti, duke e quajtur atë një “qepje plage” që rrezikon të hapet sërish.
Rasti i dytë lidhet me paraqitjen e deputetit Përparim Gruda në Kuvend. Deliu vlerëson se Gruda, i vetëm, arriti të demaskojë pushtetin dhe ta mundë Vetëvendosjen në një debat parlamentar, një moment që, sipas tij, duhej të shfrytëzohej maksimalisht nga e gjithë PDK-ja. Ai kritikon mungesën e reagimit dhe të amplifikimit politik e medial të këtij momenti, duke shtuar se, po të ndodhte një performancë e tillë nga ndonjë deputet i Vetëvendosjes, skena politike dhe rrjetet sociale do të dominoheshin nga ajo.
Rasti i tretë, sipas Deliut, është Uran Ismaili dhe beteja për Prishtinën. Ai e quan Ismailin një aset të rëndësishëm të PDK-së, duke thënë se pa të partia vështirë se arrin të tërheqë vëmendje në kryeqytet. Çdo përpjekje për ta minimizuar rolin e tij, sipas Deliut, dëmton rritjen e partisë. Ai thekson se PDK-ja ka një raport të komplikuar me Prishtinën dhe se Ismaili e mban më shumë barrën e këtij raporti sesa përfitimet, prandaj sulmet ndaj tij janë të pakuptimta. Sipas tij, vota e Ismailit duhej të prezantohej si shenjë e rritjes së PDK-së, por kjo mundësi nuk u shfrytëzua.
Në përfundim, Deliu vlerëson se ka edhe momente të tjera të humbura, por thekson se raste të tilla nuk vijnë shpesh dhe, kur vijnë, nuk duhet të shpërdorohen.



