
Pas raportimeve për mungesë materialesh, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka sqaruar se proceset e dializës po vijojnë normalisht dhe se furnizimi është i qëndrueshëm.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar pas disa raportimeve publike për mungesë materialesh në qendrat e dializës, duke theksuar se shërbimet po zhvillohen pa ndërprerje dhe pacientët po marrin trajtimin e tyre të rregullt.
Në reagim thuhet se të gjitha seancat e dializës po realizohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme, pa asnjë vonesë apo pengesë në ofrimin e shërbimeve.
“Për momentin, ka material të mjaftueshëm për zhvillimin e seancave dhe nuk ka pasur asnjë vonesë në ofrimin e shërbimeve,” thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Institucioni shton se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe për të garantuar vazhdimësinë e trajtimeve për pacientët që varen nga procesi i dializës.



