
MAShTI merr vendim për vazhdimin e pushimit dimëror shkaku i vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor në Kosovë është shtyrë deri më 12 janar, për shkak të vërshimeve dhe vështirësive të shumta të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut.
Nagavci ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka vendosur që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë shtesë, përkatësisht më 8 dhe 9 janar, në nivel vendi.
Sipas saj, vendimi është marrë si pasojë e situatës së rënduar në shumicën e komunave, qarkullimit të vështirësuar, problemeve në sistemet e kanalizimit dhe pengesave në trafik, ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke shkaktuar vërshime lokale.
“MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërsa orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Në fund, Ministria ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.



