Shtypje strukturore: Sfida e grave punëtore në supermarkete

Gratë punëtore në rrjetet e supermarketeve në Kosovë ankohen për shkelje të të drejtave, duke përfshirë kontrata të përkohshme, orë të zgjatura të qëndrimit në këmbë dhe penalizime në punë. Në mbi 90% të rasteve kur Inspektoriati i Punës kontrolloi marketet, konstatoi shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Halim Kafexholli

banner

Puna e vështirë në shërbimet e marketeve për Blertën* fillon në orën 06:30 të mëngjesit. 36-vjeçarja jeton në Fushë Kosovë, ku ka punuar për disa vite në sektorë të ndryshëm të supermarketeve, ndërsa së fundmi shërben si arkatare në një rrjet marketesh të brenduar.

Si nënë vetushqyese, Blerta* thekson se është e detyruar të punojë shumë për të siguruar jetesën, duke nënvizuar se në këtë fushë ka fituar përvojë të konsiderueshme

“Këtë punë e nisa përkohësisht”, thotë ajo, “por u bënë goxha do vjet e mu ka ba përditshmëri”, thotë Blerta* e cila është edhe nënë vetushqyese dhe të ardhurat e vetme të familjes janë nga paga a saj në supermarket.

Kosova mbetet një shoqëri patriarkale, ku gratë shpesh pengohen të hyjnë në shumë sektorë të punësimit. Si rrjedhojë, rrjetet e marketeve shfaqen si një nga mundësitë e pakta për punë. Diskriminimi sistematik i grave në ekonomi dhe punësim u ka mundësuar pronarëve të bizneseve të marketeve të përdorin gratë si fuqi të lirë dhe të lehtë punëtore.

Disa raporte në Kosovë, siç është ai i Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), një institut i pavarur kërkimor që fokusohet në hulumtime empirike dhe analiza të zhvillimeve socio-ekonomike në Kosovë, kanë evidentuar se sektori i tregtisë dhe supermarketeve punëson përqindje të lartë të grave, por me kushte të brishta të punës e kontrata të pasigurta.

Brikenë Berisha, hulumtuese nga ky Institut thotë se ky është sektor i cili karakterizohet me kontrata afatshkurtra.

“Kontrata të shkurta domethënë 3 deri 6 muaj, e në rastet ‘luksoze’ 1 vjet”, thotë Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet. Sipas saj, këto kontrata janë bërë armë e heshtur kundër grave të reja që punojnë në shitje. “Në momentin që një punëtore mbetet shtatzënë ose kërkon leje lehonie, kontrata thjesht nuk i zgjatet dhe askush s’mban përgjegjësi”, shpjegon ajo.

Sipas Berishës, kjo praktikë është mënyra më e butë, por më e padrejtë, për t’i mbajtur gratë jashtë sigurimeve ligjore dhe për t’ua mohuar të drejtën e pushimit të lehonisë. Kjo i penalizon gratë që dëshirojnë të bëhen nëna, duke shkelur parimet e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe atë për Barazinë Gjinore. Këto ligje garantojnë mbrojtjen gjatë shtatzënisë dhe lehonisë, si dhe ndalojnë diskriminimin gjinor.

Inspektorati i Punës gjatë vitit 2024 ka realizuar 404 kontrolle në bizneset e marketeve. Statistikat tregojnë që vetëm në 382 markete Inspektorati shqiptoi gjoba. Sipas procedurave, gjoba shqiptohen në rastet e shkeljeve të rënda të rregullave të ligjit për shkeljet e lehta IP shqipton vërejtje.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i përshkruan sfidat e punës në supermarkete si probleme të dyanshme. Ai thotë: “Arkatarët dhe sektoristet marrin paga të ulëta. Kushtet e punës nuk i mbajnë punëtorët gjatë në një vend, por në të njëjtën kohë supermarketet nuk arrijnë t’i mbajnë ata sepse pagat nuk janë tërheqëse”, tregon Azemi.

Megjithatë, problemi në këtë sektor nuk reduktohet vetëm tek niveli i pagave. Punëtoret përballen edhe me kushte të padrejta dhe të fshehura, që e bëjnë përvojën e tyre të punës më të vështirë dhe më të pasigurtë.

Blerta* tregon se e kishte filluar punën në Mitrovicë, në një supermarket tjetër i cili i obligonte që një pjesë të pagës ta merrnin si produkte nga marketi.

“Me marrë kontratë kemi pasur rrogën 250 euro, tani 70 euro i kemi marrë në mall”, kujton ajo, në atëkohë paga minimale në Kosovë ishte 170 euro dhe kjo krijonte mundësinë që pagat të paguheshin edhe në mallëra.

Brikena Berisha nga IKS është e bindur se kjo praktikë ka ekzistuar por sipas saj është e izoluar.

“Kemi punuar me gra punëtore në supermarkete, sidomos jashtë Prishtinës. Paga e tyre minimale ishte 150–170 euro. Edhe pse në kontratë figuronte 250 euro rrogë, ato detyroheshin që 80 euro t’i merrnin në mall nga supermarketi”, tha ajo.

Njësoj si Berisha, Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSK) konfirmon se edhe në të kaluarën janë raportuar raste kur punëtoret janë detyruar të marrin një pjesë të pagës në formë mallrash nga vendi i punës.

Blerta*, duke kujtuar përvojën e saj të punës, tregon: “Në fund të muajit të ofronin një listë dhe duhet të zgjedhësh mall për 80 euro, si vaj, sheqer, produkte që ndoshta nuk të duhen. Edhe ato ishin me çmime të plota, pa zbritje”, kujton ajo.

Kushtet e vështira të punës

Sektori i shitjes me pakicë, i identifikuar nga Komisioni Evropian si një fushë me angazhim të lartë të punonjësve në sektorin informal, paraqet terren pjellor për shfrytëzim. Kjo ndodh sidomos për gratë, të cilat përbëjnë forcën dominuese punëtore në pozitat e “frontline”, si arkataret dhe shitëset.

Gresa*, e cila ka mbi një vit që punon si arkatare në në Malishevë. Ajo thotë se punon gjashtë ditë në javë nga tetë orë. Edhe pse hapësira e punës është më pak se një metër katror, ajo është e detyruar të qëndrojë në këmbë gjatë gjithë kohës.

“Na arkataret nuk kemi karrige, prej kur jam ardhë qishtu u kanë. Menaxherat mendojnë që me nejtë ulur e krijon përshtypjen tek klienti që nuk je duke punuar ose nuk je duke i shërby me respekt”, thotë ajo.

Për Gresën* qëndrimi brenda hapësirës më pak se një metër katror është i vështirë, pasi nuk ka mundësi as të lëvizë për t’i çlodhur këmbët.

“Na e kena edhe ma keq se sektoristet, se të paktën ato lëvizin. Po kur po je e bllokume si “n’kafaz” as gjaku nuk po qarkullon”, thotë ajo. Duke shtuar se lodhja nga të qëndruarit në në vend, shpeshherë mund të dekoncentrojë edhe në shërbim ndaj klientëve siç është kthimi i kusurit, për të cilat thotë se çdo gabim eventual i faturohet asaj.

Në kuadër të hulumtimit është kontaktuar dhe janë dërguar pyetje në këtë kompani, mirëpo edhe pse zyrtarë të kësaj kompanie konfirmuan se i kanë pranuar pyetjet dhe se do t’i kthejnë përgjigjet, një gjë e tillë nuk ndodhi, duke u bërë pastaj të paqasshëm në telefon.

Të njejtin hall ka edhe Vlora* e cila punon si arkatare në një tjetër kompani në Malishevë, një kompani me zinxhir supermarketesh në këtë qytet. Ajo punon që 6 vite në njërën nga pikat më të mëdha në qytet, mirëpo thotë se ulëset gjithmonë kanë munguar. “Arkatarët duhet me nejtë në këmbë, kurrë s’ka pasur karriga, edhe a ke pa sa ngushtë është”, thotë ajo.

Ndërkaq, nga i gjithë stafi punonjës në këtë supermarket, ulëse kishte vetëm menaxheri i supermarketit i pozicionuar afër derës kryesore.

Menaxheri i një kompanie në Malishevë, Zenel Januzi, thotë se karriget e arkatarëve mungojnë sepse ato mungojnë në krejt dyqanet në Malishëvë.

“Vallahi asnjë market në Malishevë nuk ka, jo në Malishevë, por në krejt Kosovën nuk ka, për qita”, thotë ai.

Januzaj tutje zotohet që në momentin se ndonjë market në Malishevë ndjek një praktikë të tillë, do ta bëjnë edhe ata.

“Dëgjo, ne e ndjekim konkurencën. Me bo dikush i pari na jena të dytit që kena me vendos karrige”, thotë ai para se të fillojë të ankohet për mungesën e stafit.

Inspektoriati Qendror i Punës thotë se është obligim ligjor i punëdhënësit t’i pajisë të punësuarit në arkë me karrige lëvizëse. Kjo i referohet Paragrafit 1 të Nenit 7 të Ligjit Nr. 04/L-161 për Siguri dhe Shëndet në Punë.

Megjithatë, ky institucion pranon se ka mungesë të kapaciteteve për ta mbuluar sektorin. Shkeljet më të mëdha që ata evidentojnë përfshijnë: mospagesën e punës jashtë orarit, mosrespektimin e pagës minimale dhe të pushimit vjetor, ndërprerjen e njëanshme të kontratës, si dhe mospagesën e ditëve të fundjavës dhe festave zyrtare.

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në Kosovë kërkon që vendet e punës të projektohen në mënyrë që të shmangin pozicionet e detyruara dhe të njëanshme të trupit.

“Nuk ka shans me nejtë 8 orë në këmbë… nëse ajo ka me punu 8 orë, duhet me i pasë pauzat strikte. Qëndrimi në këmbë i ka edhe standardet e shëndetit në punë që përcaktohet me konventa si të organizatës ndërkombëtare të punës”, thotë Brikena Berisha nga IKS.

Ndërkaq nga HSK (Shëndeti dhe Siguria në Kosovë), një kompani që ofron shërbime profesionale në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, thonë se gratë që punojnë për periudha të gjata në këmbë, veçanërisht në sektorin e tregtisë, përballen me pasoja të dukshme afatshkurtra dhe afatgjata.
“Në afat të shkurtër, ato ndiejnë lodhje të shtuar, dhimbje në shpinë, nyje dhe këmbë, si dhe ënjtje të pjesëve të poshtme të trupit. Në afat të gjatë, ekspozimi i përsëritur ndaj këtyre kushteve mund të çojë në çrregullime të qarkullimit venoz (si variçet), probleme me shtyllën kurrizore, dhimbje kronike muskulare, madje edhe rritje të rrezikut për komplikime gjatë shtatzënisë”, thonë nga kjo kompani.

“Në Kosovë nuk sheh gra të moshuara apo shtatzëna në arka se nuk munden”, thotë Brikena Berisha, duke shtuar se “ndryshe nga Evropa, ku edhe më të vjetrat punojnë falë kushteve të përshtatura”.

Kurse udhëzimet ergonomike dhe legjislacioni europian parashikojnë që punëtorët që kryejnë punë statike, qoftë ulur apo në këmbë, duhet të kenë pushime të rregullta, zakonisht çdo 1-2 orë, për disa minuta relaksim apo ndryshim pozicioni.

Në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, rregulloret detyrojnë punëdhënësit të ofrojnë ulëse ergonomike dhe pushime të shkurtra pas çdo dy orësh pune.

Jusuf Azemi thekson se pozicioni i arkave, sidomos në dimër, afër dyerve dhe në pllaka betoni pa ndonjë shtresë mbrojtëse, është “jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin” dhe sjell sëmundje musko-skeletore.

Megjithatë, Kosova ende ka probleme më esenciale, duke vend që nuk ka listë të sëmundjeve profesionale dhe me mungesë të theksuar të mjekëve të punës.

Brikena Berisha nga IKS thotë se Inspektorati i Punës nuk e trajton seriozisht dimensionin e shëndetit në punë. Ajo thekson se ky vlerësim mbetet shumë sipërfaqësor, e jo tek ajo që është më thelbësore – shëndeti i punëtorit.

Për Jusuf Azemin, këto lloj problematikash aspak nuk janë në fokus të Inspektoratit të Punës. Ai thotë: “Inspektorati nuk është duke e kryer punën e vet, lëre për këto raste, por edhe në rastet e vdekjeve. Edhe kur punëtori po vdes, këta nuk e kanë ndikimin e tyre”, thotë ai.

I pari i SPSPK-së thotë se punëtorët e këtij sektori, më specifikisht ata që punojnë si sektoristë mbahen përgjegjës nese produkteve u kalon afati, sidomos frutave dhe perimeve, atëherë ky mall u faturohet secilit punëtor në mënyrë kumulative duke iu kompensuar në paga. Kjo gjë u pohua edhe nga punëtorët me të cilët është biseduar në kuadër të hulumtimit.

Por, Valon Mrika nga “Emona Center” thotë se edhe në përshkrimin e punës është përgjegjësi e punëtorit të kujdeset për afatet e mallrave.

“Punëtorët kanë përgjegjësi që me e lajmëru furnitorin, duhet të kujdesemi që mos me e helmu klientin. Por për këtë fillimisht mbahet përgjegjës menaxheri i pikës”, thotë Mrika, duke e mohuar se kjo kompani nuk i ndëshkon punëtorët për këtë gjë.

“Shfrytëzim i normalizuar”

Supermarketet e mëdha në Kosovë duken mirë të organizuara, me rafte plot produkte dhe drita tërheqëse. Por puna aty nuk është e lehtë për gratë në këtë sektor. Ato qëndrojnë me orë të tëra në këmbë.

Shtypja në ambientet tregtare shpesh shkon përtej çështjeve ekonomike, duke marrë trajtën e kontrollit patriarkal mbi jetën dhe trupin e gruas. Diskriminimi ndaj planifikimit familjar dhe shtatzënisë është një formë e zakonshme, ku pushimi i lehonisë shpesh shpallet haptas si “barrë” për biznesin.

Egzon Hajdari nga organizata “Përpjekja” në Gjilan, një qendër sociale dhe aktiviste që angazhohet për drejtësi sociale e mbrojtje të punëtorëve, veçanërisht në sektorin privat, thotë se gjendja reale e grave punëtore në qendrat tregtare dhe rrjetet e supermarketeve është një shtypje strukturore që ndodh në këto ambiente pune, por që sipas tij “është normalizuar aq shumë, sa që nuk përceptohet më si dhunë”.

Jo për rastësi, kjo organizatë nisi të funksionojë më 1 maj të vitit të 2025. Aktivistët e saj e kishin hapur me një aksion në një nga rrjetet e marketeve në Gjilan.

“Për shembull, në një rrjet të marketeve në Gjilan, janë evidentuar raste ku gratë paguhen më pak për të njëjtin punë që kryejnë burrat”, thotë Hajdari.

Ndërkaq, raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 thotë se gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me pabarazi të theksuara në tregun e punës. Ky raport konstaton që zbatimi i ligjit për barazi gjinore është i dobët, ndërsa mungesa e mekanizmave mbrojtës e lë punën e grave jashtë vëmendjes institucionale.

Blenda Asllani, aktiviste nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), beson se gratë janë më të disfavorizuara se burrat. Ajo thekson se situata e grave në sektorin privat mbetet shumë e vështirë, pasi ato përballen me pengesa strukturore që u mohojnë mundësitë e barabarta me burrat në tregun e punës.

“Në rrjetet e supermarketeve apo edhe të dyqaneve të shitjes, gratë dhe vajzat shpesh përballen me penalizime të ndryshme si për shtatzëni apo pamje fizike”, thotë ajo.

Në vitin 2023, organizata QIKA ka realizuar fushatën ndërgjegjësuese “Barazi në vendin e punës pa dallim gjinie”, e cila është fokusuar posaçërisht tek gratë punëtore në supermarketet mbarë Kosovës. Asllani thotë se gjatë kësaj fushate, janë takuar dhe kanë diskutuar drejtpërdrejtë me gra dhe vajza që punojnë në këto rrjete tregtare në komuna të ndryshme të Kosovës, duke u njohur nga afër me sfidat e tyre.

Për aktivistin Egzon Hajdari, problemi thelbësor nuk qëndron te “kultura e punës” apo mungesa e etikës në kompani. Ai argumenton se qasja e vetë sistemit “përbëhet nga një kulturë e brendshme që e normalizon pabarazinë dhe e bën dhunën të padukshme.”

Inspektorati i Punës thotë se pranon vazhdimisht ankesa nga punëtoret që pretendojnë mohim të të drejtave nga marrëdhëniet e punës. Ky institucion ka kryer inspektime të vazhdueshme në rrjetet e supermarketeve me mbi 50 punëtorë. Përgjatë këtij viti, janë realizuar mbi 25 inspektime të planifikuara ku janë inspektuar gjithsej 3,594 punëtore.

Edhe pse Inspektorati thotë se inspektimet janë rritur, mbetet fakt se shumë gra në supermarkete punojnë në kushte të vështira dhe pa mbrojtje të mjaftueshme. Ligjet për sigurinë dhe shëndetin në punë ekzistojnë, por nuk zbatohen si duhet.

Gratë do të vazhdojnë të punojnë shumë për pak, siç punon Blerta*, e cila thjesht kërkon një trajtim më të dinjitetshëm për punën e saj.

“Unë jam e bindur se shumë na lodhë mënyra qysh trajtohemi se sa puna”, përfundon ajo.

Shënim: Emrat Blerta, Gresa dhe Vlora* janë pseudonime që janë përdorur për ta mbrojtur identitetin e tyre të vërtetë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.