
Izet Mexhiti njoftoi banorët se ka dhënë vendim negativ për hapjen e gurrores, ndërsa paralajmëroi anulimin përfundimtar të koncesionit në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Kandidati për Çair dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka marrë një vendim të prerë në favor të banorëve të fshatit Straçincë, duke refuzuar kërkesën për hapjen e gurrores në këtë zonë.
Mexhiti vizitoi banorët mbrëmë, pak para mesnatës, teksa ata po protestonin kundër gurrores, duke i siguruar se shqetësimet e tyre janë marrë seriozisht.
“Raportet dhe analizat e institucioneve kompetente treguan qartë se aktiviteti i gurrores do të sillte pasoja të rënda, si rrezikun nga vërshimet dhe dëmtimin e rëndë të shëndetit e jetesës së banorëve. Për këtë arsye, vendimi im është i prerë: gurorja nuk do të hapet!”, deklaroi ai.
Ministri shtoi se hapi i radhës është anulimi përfundimtar i koncesionit, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
“Ky vendim do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje dhe do ta vendosë drejtësinë në anën e banorëve. Gjithmonë do të jem në anën e popullit, në anën e arsyes!”, theksoi Mexhiti.



