
Sektori publik dhe privat kërkojnë urgjentisht alokim të mjeteve financiare, qytetarët po mbesin pa transport.
Ka përfunduar protesta e sotme e “Trafikut Urban”, ndërsa përfaqësuesit e sektorit publik dhe atij privat paralajmërojnë se greva mund të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Sipas organizatorëve, protesta është zhvilluar sipas planifikimit, por institucionet ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion për rrjedhën e alokimit të mjeteve financiare.
Elmi Gashi nga “Trafiku Urban” tha për mediat se protesta u zhvillua nga ora 10:00 deri në ora 12:00, dhe se veprimet do të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë deri sa fondet të arrijnë në xhirollogaritë e sektorit. “Deri në kohën që i marrim paratë në xhirollogarinë tonë, do të vazhdojmë me protesta njëjtë sikur sot,” deklaroi ai.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, Izet Smajli, bëri thirrje për veprim urgjent nga institucionet përgjegjëse. Ai theksoi se qytetarët po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së transportit dhe se koordinimi mes institucioneve është i domosdoshëm. “Kur është interesi i përgjithshëm i qytetarëve dhe i kombit, duhet të jemi unik dhe të bashkuar. Pa këtë, nuk mund të ecim përpara,” tha Smajli.
Sektori i transportit paralajmëron se, nëse nuk ka përgjigje të shpejtë nga institucionet, veprimet e tyre do të vazhdojnë, duke ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjen e qytetarëve në qytet.



