
Sylejman Kllokoqi, ish-kameramani i njohur i luftës, për dy vjet qëndroi në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë rrethimit të Sarajevës nga forcat serbe, ku u vranë mbi 11 mijë persona.
Kllokoqi ka folur edhe për snajperin, që tash u rikthye në qendër të vëmendjes për safarin njerëzor në Sarajevë.
“Në terren është fol kjo punë, por Sarajevën e ke pasur nonstop neper vende të caktuar, shenjat se këtu është duke gjuajtur snajperi. Pra, qyteti ka qenë i mbushur me vende “mos kalu këtu, se është snajperi”. Më së shumti janë qëlluar njerëzit kur kanë shkuar me marrë ujë dhe në ceremoni varrimi”, rrëfehet ai.
Ekskluzivisht për Tëvë1, Kllokoqi zbuloi se një moment ishte shënjestra e një snajperisti.
“Shkova me marrë ujë, mendova se është më i sigurt një vend afër televizionit të Sarajevës. Në moment që shkova me marrë ujë aty, gjuajti snajperi, por nuk kishte qenë snajperist i fortë se diku ia huqi për 5 cm, i mëshoi betonit afër kokës sime”, shprehet ai.
“Unë automatikisht jam shtrirë kinse i vdekur. Kam pritur 3-4 minuta pastaj jam cuar e me vrap kam ikur dhe shpëtova”, tregon Kllokoqi.



