
Subjektet politike kanë afat deri në orën 23:59 për të dorëzuar listat; fushata zgjedhore nis më 17 dhjetor.
Sot, në orën 23:59, përfundon afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Partitë politike kanë vetëm disa orë në dispozicion për të finalizuar dhe dorëzuar emrat e kandidatëve të tyre.
Deri më tani, kanë përfunduar tre prej afateve kryesore që lidhen me subjektet politike:
aplikimi për certifikim të partive që duan të marrin pjesë në zgjedhje, formimi i koalicioneve, dhe njoftimi për mospjesëmarrje në zgjedhje.
Të gjitha këto aktivitete janë mbyllur më 30 nëntor, në orën 23:59.
Ndërkohë, sipas kalendarit zgjedhor, më 17 dhjetor nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet nacionale në vend. Subjektet politike pritet të intensifikojnë aktivitetet dhe paraqitjet publike, ndërsa vendi hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve drejt zgjedhjeve të fundvitit.



