
Opinionisti Agim Sopi ka ironizuar situatën politike rreth zgjedhjes së presidentit, duke propozuar në mënyrë satirike një “arushë” si kandidat konsensual.
Sopi ka thënë se shpresa për arritjen e një marrëveshjeje ekziston, por theksoi se ndoshta zgjidhja duhet kërkuar jashtë politikës tradicionale.
“Shpresa ka. Personalisht mund ta jap shembull një ide interesante. Pardje e pashë një dokumentar në një televizion francez për Kosovën. Ishte ndoshta dokumentari i parë pa paragjykime dhe ishte shumë afirmativ për Kosovën, kryesisht konsistonte në bukuritë natyrore të vendit. Ajo që ishte atraktive për ta ishte Kopshti i Arinjve dhe më ra ndërmend: pse zoti Kurti nuk shkon atje dhe të marrë një kandidat konsensual, një arushë. Jam i bindur që i gjithë spektri politik do ta votonte. Edhe evropianët do të ishin njëzëri, madje do të ishte edhe Lista Serbe pro. Do të ishim të gjithë të lumtur”, u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.



