
Spiropali thekson rolin e Rugovës si lider politik dhe kombëtar, simbol i Kosovës dhe identitetit shqiptar.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka kujtuar figurën e veçantë të Ibrahim Rugovës, duke e përshkruar atë si një lider unik, që nuk ngjante me askënd. “Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Rugova më dukej si profet. Më vonë kuptova se ai nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët dhe nuk luftonte të ishte kudo pa arsye,” shprehet Spiropali.
Ajo thekson se Rugova evokonte Dardaninë dhe rrënjët e identitetit shqiptar, duke i dhënë një forcë të veçantë pranisë dhe mungesës së tij: “Butësia e tij ishte forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmëri.”
Sipas ministrës, Rugova nuk udhëhiqej nga turmat, por i udhëhiqte ato nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës. “Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar,” shton ajo.
Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, Rugova udhëhoqi me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur. Në 2 dhjetor, në 81-vjetorin e lindjes së tij, figura e Ibrahim Rugovës kujtohet si simbol i vendosmërisë, urtësisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.



