“Stolpersteine”, “Stumbling stones”, “Gur pengues”

70.000 gur-memoriale, në 20 gjuhë të ndryshme, në mbi 2000 qytete e fshatra, banojnë gjithandej nëpër botë. Gunter Demnig është autori i kësaj vepre politiko-artistike që ka gdhendur emrat e viktimave të Holokaustit, në kubëza 10 centimetërshe të quajtuna “Stolpersteine”, “Stumbling Stones”, “Gur Pengues”. Ndër të tjera kështu shkruhet te “The Holocaust memorial of 70.000 stones”, artikull ky i botuar në BBC më 29 Mars 2019, sesioni ‘Travel’, punuar nga Eliza Apperly.

Shkruan: Durim Jasharaj

banner

Po pra, janë gur që të zënë rrugën. Ta prejnë udhën në udhë. E megjithatë, ato janë pjesë e rrugës. Janë vetë rruga. Janë hapi ynë. Janë shkeljet tona.

“Një viktimë, një gur” është slogani i kësaj vepre. Moto kjo që ka gjetur inspirim nga Talmudi i shenjtë i hebrenjve. Aty thuhet se “Njeriu harrohet kur emri tij bie ne harresë”. Në secilën prej këtyre pllakateve, vazhdon artikulli, fillon me ‘Here Lived’, këtu ka jetuar, emri, mbiemri, data e lindjes dhe fati. Më saktë, mungesa e tij, fatzeza/fatziu. Dhe njëherë, për të fundit herë, autori ka dashur t’i grumbullojë familjet, ashtu siç ishin dikur. Veçse kësaj here përgjithmonë, tok së bashku, pranë shtëpive të tyre.

Nismëtari i këtij projekti përkujtimor, artisti nga Cologne, Gunter Demnig, kishte gdhendur pllakatet e para në vitin 1992, në kujtim të viktimave rome të Holokaustit. E kur projekti ishte tejzgjeruar, në vitin 2005, kishte kërkuar ndihmën e Friedrichs-Friedländer, i cili deri më tani ka gdhendur më shumë se 63.000 gur perkujtimorë, larg synit të botës, në garazhin e tij per 20 vjet. “Ai përlotet teksa përshkruan një set prej 34 pllakave, të një ish-jetimoreje në Hamburg. Të gjithë fëmijë ndërmjet 1 dhe 6 vjeç”.

Te libri “Shkëndija e Jetës” novelisti gjerman, Erich Maria Remarque, ndër të tjera shkruan se si në kampet naziste të shfarosjes, njerëzit gdhendnin emrat e tyre në muret e barakave. Gjithsekush dinte orën, në varësi të rrezes së diellit që futej mespërmes dritares, se kur mund të shihte emrin e vet. Ishte kjo një mënyre për ta luftuar çnjerëzimin. Ishte kjo një përpjekje për t’mos e pranuar shifrën që u kishin dhënë xhelatet për t’i dehumanizuar.

Mbi 10.000 mijë fëmijë palestinez janë vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit. Që prej 7 tetorit të vitit që lamë pas, mbi 10.000 mijë femijë janë vrarë nga sulmet ajrore të shtetit të Izraelit.

Të jetosh, të jesh, do të thotë, ndër të tjera, të luftosh për një vdekje njerëzore. Numri nuk vdes sepse s’ka jetuar ndonjëherë. Emri vdes pikërisht sepse ka jetuar njëherë. Të vdesësh nuk është fundi për Emrin Njeri. Aty, suall një tjetër jetë nisë. “Njeriu harrohet kur emri tij bie ne harresë”. Po pra, veç harresa ia merr Emrit Njeri jetën e dikurshme dhe përjetësinë e vdekjes.

E megjithatë, ‘mbi 10.000 mijë fëmijë palestinez të vrarë nga bombat e shtetit të Izraelit’ duhet të pllakosen si shifra, si numra. Nga viktima e parë deri te e fundit. Kur do të jetë përfundimi? Kur do të mbarojë numërimi? Te cili numër?

Po t’i shkruajmë emrat e tyre do të thotë se nuk i kemi harruar. Vallë a si kemi harruar? Po pra, gur pa emra. Gur në të cilët do të gdhenden vetëm numra. Një numër, nje shifër. Gjithandej nëpër qytete e fshatra të botës, aty ku rrugët nga barra e moshës janë gërryer aq sa për t’i lënë vendin një pllake anonime që shënon një jetë që as ka lindur, e as ka vdekur. Se numri nuk vdes. Se mos vallë ka jetuar ndonjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.