
385 studentë shqiptarë kanë nënshkruar një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës në Maqedoni të Veriut të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në një postim në Facebook, studentët theksojnë se kërkesa bazohet në Kushtetuën dhe ligjet në fuqi të Maqedonisë së Veriut.
“Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë.
Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së. Dokumentin e plotë e gjeni të bashkëngjitur më poshtë.
Tani mbetet të shohim: sa peshë ka zëri i rinisë?” – shkruan Mevaln Ademi.
Megjithatë, ndryshe mendon Ministria e Drejtësisë, e cila ka kthyer përgjigje negative. Siç raporton Telegrafi, Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën nën arsyetimin se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila, sipas tyre, është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike.
Studentët janë ndarë të pakënaqur nga kjo përgjigje, duke paralajmëruar protesta.



