
Studentët e Universitetit të Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, kanë protestuar të hënën në Shkup. Ata janë ankuar se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Protesta kaloi e qetë dhe pa incidente apo tensione.
Pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut me kërkesën që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe Partia VLEN ka deklaruar se kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje.
VLEN në reagim ashtu thekson se BDI-ja sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë.
“Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”, thuhet në reagimin e partisë VLEN.
Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup me kërkesën që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe, akuzoi për një politikë të qëllimshme dhe të organizuar për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Osmani në rrjete sociale risolli në vëmendje procesin e miratimit të Ligjit për Gjuhët, të cilin e cilësoi si të shoqëruar me tensione të mëdha politike, duke shtuar se deputetët e VMRO-DPMNE kishin tentuar fizikisht të pengonin votimin në Parlament, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin, duke detyruar rikthimin e tij për rivotim.
“E njëjta parti kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut gjatë kohës kur ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, siç thotë ai, ka ndikuar në këtë institucion për ta mbyllur çështjen”, tha Osmani, duke kritikuar ndërhyrje institucionale që dobësojnë zbatimin e ligjit dhe duke përmendur heqjen e pavarësisë së Inspektoratit dhe reduktimin e rolit të Agjencisë për gjuhët.
Osmani akuzoi gjithashtu për ndryshime në identitetin vizual të institucioneve dhe për largimin gradual të gjuhës shqipe nga dokumentet zyrtare, tabelat dhe përdorimi institucional.
Njëherësh, paralajmëroi për përgatitjen e një narrative që synon ndryshimin e dispozitave kyçe të ligjit, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një politike të planifikuar.



