
Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dorëzon ankesë administrative; afati për apelim është 48 orë, ndërsa Gjykata Supreme ka pesë ditë për vendimmarrje.
Pasditen e së martës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për shtatë ankesat që po i shqyrtonte pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Me publikimin e këtyre vendimeve ka nisur edhe afati ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave në Gjykatën Supreme. Deri tani, në këtë institucion është dorëzuar vetëm një ankesë.
Bëhet fjalë për ankesën e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, siç ka bërë të ditur për Express zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.
“Bazuar në informacionet nga Zyra për Menaxhimin e Lëndëve, në Gjykatën Supreme, deri më tani, është pranuar një (1) ankesë administrative, kundër vendimit të PZAP-së, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës”, ka deklaruar Uka.
Ajo ka sqaruar se afati për paraqitjen e ankesave është 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP-së, ndërsa Gjykata Supreme ka pesë ditë kohë për të vendosur lidhur me to.
“Afati për paraqitje të ankesës në Gjykatën Supreme është 48 orë, nga pranimi i vendimit të PZAP-së, ndërsa afati i vendosjes për këto ankesa, në Gjykatën Supreme, është pesë (5) ditë”, tha ajo.
Nga shtatë ankesat e shqyrtuara, PZAP ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Srpska ndaj KQZ-së për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar të shtunën vetëm për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj, ndërsa gjashtë ankesat e tjera janë rrëzuar.
Pas vendimmarrjes së Gjykatës Supreme për ankesat e pranuara, KQZ-së do t’i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.



