Surroi propozon opinion nga Komisioni i Venecias para ratifikimit të Bordit të Paqes

Publicisti Veton Surroi ka bërë thirrje për një rivlerësim kushtetues përpara se Kuvendi i Kosovës të procedojë me ratifikimin e anëtarësimit të vendit në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas tij, Kosova i përket të njëjtës familje kushtetuese evropiane si Italia dhe Gjermania, dy vende që kanë shprehur keqardhje për pamundësinë e pjesëmarrjes në këtë bord për shkak të kufizimeve që burojnë nga kushtetutat e tyre, veçanërisht në çështjet që lidhen me ndarjen e sovranitetit dhe strukturimin e vendimmarrjes.

banner

Surroi thekson se presidentja e Kosovës e ka nënshkruar anëtarësimin në ceremoninë e Davosit më 22 janar dhe tashmë po kërkon ratifikimin në Kuvend, në përputhje me dispozitat e Kartës së Bordit të Paqes. Megjithatë, ai paralajmëron se ratifikimi me dy të tretat e votave do të nënkuptonte që ligjet aktuale dhe të ardhshme të Kosovës t’i nënshtrohen kësaj Karte.

Për këtë arsye, Surroi propozon që para nisjes së procesit të ratifikimit të kërkohet një mendim nga Komisioni i Venecias për të sqaruar përputhshmërinë mes natyrës së vendimmarrjes së Bordit të Paqes dhe Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, një kërkesë e tillë nuk do të nënkuptonte tërheqje nga nënshkrimi, pasi Kosova mund të vazhdojë të marrë pjesë si anëtare pa të drejtë vote deri në një vendim përfundimtar. Ky hap, sipas Surroit, do të ishte një masë e nevojshme kujdesi për të mbrojtur rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.