
Publicistja komenton vetëshpalljet e fitoreve dhe rizgjedhjen e Përparim Ramës në krye të Prishtinës.
Publicistja Flaka Surroi ka reaguar pas përfundimit të balotazhit, duke thënë se “me t’u kryer balotazhi, krejt e shpallën fitoren: VV-ja se i fitoi edhe tri komuna më shumë; LDK-ja se e mbajti Prishtinën, AAK-ja pse i mbajti komunat ‘e veta’ dhe PDK-ja pse kumulativisht ka mbledhur më së shumti vota në të gjithë Kosovën.”
Ajo thekson se për LDK-në, fitorja në Prishtinë ishte e madhe.
“Për LDK-në, pa dyshim se fitorja e Ramës në Prishtinë ishte e madhe. Dhe pavarësisht se thuhej që PDK-ja, AAK-ja e NISMA kishin angazhuar militantët e tyre që t’ia hidhnin votën Ramës dhe se gjatë gjithë fushatës u krijua bindja se VV-ja kishte hequr dorë nga fitorja në Prishtinë për shkak se e zgjodhi një kandidat, i cili linte përshtypje se më shumë do të gëzohej nëse nuk do të fitonte, Rama fitoi me nja 2-3 mijë vota më shumë.”
Sipas saj, Rama e merr mandatin e dytë “ani pse në mandatin e parë më shumë ka krijuar telashe sesa ka zgjidhur probleme”.
Surroi kujton se e kishte theksuar edhe më herët se “Prishtina ka merituar më mirë”.
“Prishtinës, më shumë se kurrë, i është dashur një kryetar që shkel mbi tokë dhe i kupton problemet që i ka qyteti dhe iu gjen zgjidhje. E nëse duhet mbështetur në katër vitet e kaluara, Rama përfundimisht nuk është njeri që i ka tiparet e përshkruara më lart.”



