
Policia e Kosovës gjen uniforma ushtarake dhe predhë antitank në Donje Jarinje; autoritetet premtojnë vendosmëri për sigurinë e qytetarëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës po vazhdon çmontimin e elementeve kriminale dhe terroriste të Serbisë në vendin tonë, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Ai bëri me dije se mbrëmë, gjatë patrullimit në një objekt të pabanuar në fshatin Donje Jarinje, njësitë e policisë kanë gjetur uniforma ushtarake dhe xhaketa me emblema të Ushtrisë së Serbisë, si dhe një predhë antitank.
“Do të vazhdojmë pa u ndalur punën dhe angazhimin tonë në çrrënjosjen e çdo mbetjeje terroriste të Serbisë në vendin tonë,” tha Sveçla. Ai shtoi se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara ndaj ligjit, sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Çdo veprim që kërcënon sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me vendosmëri dhe profesionalizëm, theksoi ministri.



