
Deputeti i AAK-së akuzon ekzekutivin për shpërfillje institucionale ndaj vërshimeve dhe incidenteve të fundit, kërkon task-forcë kombëtare emergjente.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë, duke e akuzuar për dështim të plotë institucional në menaxhimin e krizave të fundit, përfshirë vërshimet dhe incidentet serioze në disa qytete të vendit.
Përmes një postimi, Tahiri tha se propaganda e ka verbuar qeverinë, e cila sipas tij ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit dhe ka vënë interesat elektorale mbi jetën dhe dinjitetin e njerëzve.
“Qytetari shihet vetëm si numër votash. Për pesë vite me radhë, kjo qeveri ka relativizuar çdo krizë dhe ka shtyrë çdo përgjegjësi,” shkroi ai.
Tahiri theksoi se situata është alarmante, duke përmendur se gjysma e vendit ndodhet nën ujë, ndërsa institucionet po tregojnë shpërfillje të papranueshme.
“Rehatia e rezultatit elektoral ka marrë përparësi ndaj jetës, pronës dhe dinjitetit të njerëzve,” u shpreh deputeti.
Ai përmendi edhe rastin e fundit në Gjakovë, ku u dogj një prej bizneseve më të mëdha të vendit, duke akuzuar institucionet për mungesë totale reagimi. Sipas Tahirit, në vendngjarje nuk pati asnjë zyrtar, nuk u mor asnjë përgjegjësi nga institucionet qendrore dhe gjithçka u mbulua me propagandë.
Deputeti i AAK-së kërkoi krijimin e menjëhershëm të një task-force kombëtare që do të përfshinte institucionet qendrore, pushtetin lokal dhe kapacitetet teknike private, për t’u përballur me situatën emergjente.
Ai paralajmëroi se rënia e temperaturave po i gjen qindra familje të pastreha dhe u bëri thirrje krerëve të shtetit të veprojnë pa vonesë.
“Mos flini më. Zgjedhjet kanë përfunduar. Është koha të veproni,” përfundoi Tahiri.



