Takimet joformale në Solothurn, CIG mohon: Nuk janë sekrete, s’ka pasur takim mes Bislimit dhe Gjuriqit

Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse mohon pjesëmarrjen e përbashkët të Bislimit dhe Gjuriqit dhe thekson se nuk organizon takime bilaterale.

Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse (CIG) ka sqaruar se takimet joformale mes përfaqësuesve të partive parlamentare nga Kosova dhe Serbia, të mbajtura në Solothurn të Zvicrës dhe në vende të tjera, nuk janë sekrete, nuk prodhojnë marrëveshje dhe nuk organizohen në formë bilaterale.

banner

Në një përgjigje për KALLXO.com, CIG ka konfirmuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, nuk kanë marrë pjesë së bashku në asnjë takim të organizuar nga ky Këshill.

“Këto takime nuk janë sekrete. Ato nuk prodhojnë marrëveshje, angazhime apo rezultate të negociuara. CIG publikon raporte të shkurtra përmbledhëse në faqen e saj të internetit që reflektojnë gamën e qëndrimeve të shprehura”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Sipas CIG, raportet e publikuara nuk përfaqësojnë pozicione konsensuale apo përfundime të dakorduara dhe pjesëmarrësit janë të lirë të flasin publikisht për takimet, në përputhje me Rregullin e Chatham House.

Këshilli thekson se qëllimi i këtyre bisedimeve gjithëpërfshirëse është të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar një forum joformal për shkëmbim perspektivash dhe ruajtje të komunikimit, sidomos kur kanalet zyrtare janë të kufizuara.

“Të gjitha takimet zhvillohen në formate të përbashkëta, zakonisht me rreth një duzinë pjesëmarrësish. CIG nuk organizon takime bilaterale ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe mbështet shpjegimet që pjesëmarrësit tashmë i kanë dhënë mediave”, thuhet më tej.

Po ashtu, CIG ka bërë të ditur se për më shumë se një dekadë, me seli në SHBA dhe në bashkëpunim me Departamentin Federal Zviceran të Punëve të Jashtme (FDFA), ka lehtësuar bisedime joformale ndërmjet përfaqësuesve të partive parlamentare nga Kosova dhe Serbia, përfshirë edhe nga partitë në pushtet dhe opozitë.

Debati publik në Kosovë rreth këtyre takimeve nisi pas një artikulli të gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), e cila raportoi për organizimin e tyre në Solothurn, duke përmendur edhe emrat e Bislimit dhe Gjuriqit.

Ndërkohë, këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, kishte mohuar më herët se ka pasur ndonjë takim mes Bislimit dhe Gjuriqit, duke konfirmuar se organizime të tilla për dialogun zhvillohen edhe nga shtete të tjera, jo vetëm nga Bashkimi Evropian.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.