
Deputetja e AAK-së thotë se gjatë luftës ajo ka bartur kallashin dhe ka mjekuar ushtarët e UÇK-së.
Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë seancës së Kuvendit.
Kadrijaj deklaroi se Gërvalla ka financuar librin e Shkëlzen Gashi me 15 mijë euro, duke kritikuar atë që e quajti sjellje fyese ndaj luftëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Ka financuar librin e Shkëlzen Gashit me 15 mijë euro. Këtu njerëzit në Kosovë e bartin një barrë historike e kombëtare dhe konform kësaj duhet me u sjellë. Ka këtu që dikush duke e keqpërdorur emrin e babait të saj ka fyer çlirimtarë, komandantë, UÇK-në”, u shpreh Kadrijaj.
Ajo shtoi se gjatë luftës në Kosovë kishte marrë pjesë në përpjekjet për çlirim, duke thënë se kishte bartur armë dhe kishte mjekuar ushtarë të UÇK-së.
“Së fundi takova një ushtar të UÇK-së nga Gjakova, 16-vjeçar në kohën e luftës, të cilit i janë vrarë dy vëllezër. Ai më pyeti pse nuk iu revanshove Gërvallës për sjelljet ndaj Haradinajt. Përgjigjja ime ishte se e respektojmë për shkak të Jusuf Gërvallës”, tha ajo.
Kadrijaj theksoi se në kohën kur, sipas saj, Gërvalla kishte bërë dosje kundër UÇK-së, ajo vetë kishte qenë në terren me luftëtarët.
“Në kohën kur Donika Gërvalla ka bërë dosje kundër UÇK-së, unë kam bartur edhe kallashin, por edhe kam mjekuar ushtarë të UÇK-së”, deklaroi deputetja e AAK-së.
Në fund, ajo i dërgoi një mesazh ministres duke kërkuar që të ndalen, siç tha ajo, fyerjet ndaj luftëtarëve të UÇK-së.



