
Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë se siguria dhe e ardhmja politike e Kosovës janë gjithnjë e më të cenueshme.
Ndërsa shpesh flitet për skenarë konkretë – si tërheqja e trupave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR – Vogel e sheh rrezikun kryesor diku tjetër: te pasiguria.
“Jetojmë në një mjedis gjeopolitik tepër të vështirë: nuk kemi vetëm luftën në Iran, por edhe atë në Ukrainë. Po ashtu, Gaza mbetet e pazgjidhur, tani ka luftë edhe në Liban dhe çështje të tjera të ngjashme. Të gjitha këto e shpërqendrojnë vëmendjen nga një analizë strategjike për Ballkanin. Dhe me keqardhje duhet të them se Kosova ka rënë thuajse në fund të listës së prioriteteve për evropianët”, thotë Vogel për Exposenë.
Vogel paralajmëron se çdo ndryshim i mundshëm në praninë ndërkombëtare në Kosovë mund të provokojë veprime më agresive nga aktorë të ndryshëm.
Ai nuk e përjashton as skenarin e incidenteve të lokalizuara, që mund të përshkallëzohen në një zinxhir reagimesh, duke theksuar se BE-ja nuk është e gatshme të përballet me Serbinë, e cila vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Pra, në rast se SHBA-ja tërheq trupat nga KFOR-i, kjo mund të ketë pasoja shumë serioze. Jo në kuptimin e një rikthimi të menjëhershëm të dhunës, e lëre më të luftës… edhe pse, sinqerisht, në këto kohë dhe kushte kaotike, nuk do të përjashtoja asgjë”, thotë Vogel.
Me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të bëjnë përparim konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe kanë theksuar nevojën për mbështetjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohjen reciproke.
Megjithatë, dy vendet nuk kanë zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë qysh në shtator të vitit 2023, ndonëse në BE kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për ta ndërmjetësuar një të tillë.
Vogel vlerëson se qëllimi i deklaruar përfundimtar i dialogut – njohja reciproke – është zbehur ndjeshëm në Bruksel, dhe shton se BE-ja nuk ka treguar interes real për ta avancuar Kosovën në procesin e anëtarësimit, duke mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati.



