
Një burrë 43-vjeçar vdes tragjikisht gjatë orarit të punës; Policia dhe Inspektoriati i Punës kanë nisur hetimet.
Një incident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës. Viktima, 43 vjeç, dyshohet se ka rënë nga lartësia e një objekti ku po punonte rreth orës 15:00. Për shkak të plagëve të rënda, ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Sot rreth orës 15:00, kemi pranuar informatën se në rrugën Ferizaj-Prishtinë, një person ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar. Viktima mashkull, 43-vjeç, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje,” tha Ahmeti.
Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoriatin e Punës, ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.



