
Analisti rrëfen përvojën si punëtor krahu në Gjermani dhe reagon pas tragjedisë në Vjenë.
Analisti Dibran Hoxha ka ndarë një rrëfim personal për përvojën e tij si punëtor krahu në Gjermani, duke e përshkruar jetën e emigrantëve shqiptarë si shumë më të vështirë sesa perceptohet nga jashtë.
Ai ka treguar se gjatë viteve 2014–2016, sa ishte student në Universiteti i Prishtinës, ka punuar për rreth nëntë muaj në kushte të rënda pune, me orare të gjata dhe lodhje fizike të vazhdueshme. Sipas tij, përditshmëria e punëtorëve emigrantë përfshin zgjimin para orës 5 të mëngjesit, punën deri në mbrëmje dhe përpjekje shtesë për të siguruar të ardhura minimale.
Përveç lodhjes fizike, Hoxha thekson edhe aspektin e dytë të vështirësisë – trajtimin si qytetar i dorës së dytë apo të tretë, si dhe kushtet e pasigurta të punës përmes ndërmjetësimeve të shumta.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve për vdekjen e katër bashkëkombasve në një kantier ndërtimi në Vjenë, për të cilët ai shprehet se janë pasojë e një realiteti të hidhur, ku shumë shqiptarë detyrohen të kërkojnë mirëqenie jashtë vendit.
Në fund, ai shpreh shpresën që raste të tilla tragjike të mos përsëriten më, duke e cilësuar këtë fenomen si një plagë të rëndë sociale për shoqërinë.



