
IRGC kërcënon sulme ndaj bazave amerikane dhe Izraelit; përshkallëzohen tensionet pas raportimeve për vrasjen e Khameneit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të mos ndërmarrë sulme, duke deklaruar se çdo veprim i tillë do të përballet me një kundërpërgjigje të ashpër nga SHBA-ja.
“Irani deklaroi se do të godasë shumë fort sot, më fort se kurrë më parë. MË MIRË TË MOS E BËJNË KËTË, SEPSE NËSE E BËJNË, NE DO T’I GODASIM ME NJË FORCË QË NUK ËSHTË PARË KURRË MË PARË! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, është shprehur Trump.
Deklarata e tij vjen pasi Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC) paralajmëroi sulme ndaj bazave amerikane dhe Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e raportuar të liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
“Operacioni më shkatërrues ofensiv në historinë e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të nisë drejt territoreve të pushtuara dhe bazave terroriste amerikane brenda pak çastesh”, thuhej në deklaratën e publikuar nga IRGC.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore në më shumë se 20 provinca të Iranit, ku sipas raportimeve janë vrarë të paktën 200 persona. Udhëheqësit e SHBA-së dhe Izraelit janë zotuar se do të vazhdojnë operacionet deri në eliminimin e programit bërthamor iranian.



