
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sot zhgënjimin me qasjen e Iranit në negociata, duke i paralajmëruar se është duke përfunduar koha për marrëveshje.
“Negociatorët iranianë janë shumë të ndryshëm dhe të çuditshëm. Ata po na luten të bëjmë një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë pasi janë zhdukur ushtarakisht, me zero shanse për rikthim. Më mirë të bëhen serioz sa më shpejt, para se të jetë tepër vonë, sepse sapo të ndodhë kjo, nuk ka kthim prapa, dhe nuk do të jetë gjë e mirë”, shtoi ai, shkruan CNN.
Postimi i Trumpit vjen ndërsa gjatë javës tha se SHBA-ja dhe Irani po negocionin për t’i dhënë fund konfliktit, duke shënuar një ndryshim të ndjeshëm të qëndrimit të tij të mëparshëm.
Paralajmërimi i presidentit vjen gjithashtu pas deklaratave të djeshme në të cilat ai tha se Irani dëshiron “shumë të bëjë marrëveshje, por ata kanë frikë ta thonë atë” publikisht nga frika e pasojave të brendshme.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se bisedimet nuk janë në një rrugë pa krye, edhe pasi Teherani nuk e pranoi menjëherë një kornizë të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës. Zyrtarët amerikanë i thanë CNN-së se administrata po punon për të organizuar një takim të mundshëm në Pakistan, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti.



