
Donald Trump, president i ShBA-së, ka njoftuar se Kamboxhia dhe Tajlanda janë dakorduar që të vazhdojnë armëpushimin.
Trump, ka njoftuar rifillimin e armëpushimit mes Tajlandës dhe Kamboxhias, pas bisedave telefonike me kryeministrin tajlandez Anutin Charnvirakul dhe kryeministrin kamboxhian Hun Manet, të premten.
“Palët kanë rënë dakord të ndalin të shtënat duke filluar nga mbrëmja e sotme dhe t’i rikthehen marrëveshjes fillestare të paqes që kemi arritur së bashku, me ndihmën e kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim”, shkroi Trump në platformën Truth Social, njofton Al Jazeera.
Përleshjet e kësaj jave mes dy vendeve të Azisë Juglindore kanë lënë të paktën 20 të vrarë dhe kanë zhvendosur rreth gjysmë milioni njerëz në të dy anët e kufirit të kontestuar.
Armëpushimi i parë, i arritur në korrik, u ndërmjetësua nga Malajzia dhe u finalizua pas presionit të presidentit Trump, i cili kishte paralajmëruar se do të tërhiqte disa privilegje tregtare nëse palët nuk binin dakord. Marrëveshja u formalizua më tej në tetor, gjatë një takimi rajonal në Malajzi ku mori pjesë edhe presidenti amerikan.



