
Presidenti amerikan deklaroi se ka shpëtuar miliona jetë dhe se, megjithëse mendon se e meriton çmimin “Nobel”, më e rëndësishme për të mbetet paqja.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përsëritur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se gjatë mandatit të tij u ka dhënë fund shtatë luftërave, duke përmendur ndër to edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalimin e tij, Trump theksoi se mandati i tij ka qenë i ngarkuar me përpjekje për të shpëtuar miliona jetë, duke shtuar se ky është vlerësimi më i madh që mund të marrë një president. “Meritoj çmimin ‘Nobel’, por për mua më e rëndësishme është shpëtimi i jetëve”, u shpreh ai.
Trump foli edhe për gjendjen e ekonomisë amerikane, duke e cilësuar periudhën e administrimit të tij të dytë si “Epoka e Artë e Amerikës”, ku sipas tij vendi ndodhet në gjendjen më të mirë ekonomike të historisë së tij.
Ky fjalim vjen në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku liderë nga e gjithë bota po paraqesin vizionet e tyre për sigurinë dhe zhvillimet globale.



