Vazhdojnë edhe sot protestat e transportuesve publikë në Prishtinë

Autobusët në Prishtinë jashtë qarkullimit tash e një javë; punëtorët thonë se nuk kthehen në punë pa u alokuar mjetet.

Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, me kërkesën e njëjtë: ekzekutimin e pagave në mënyrë që të rikthehen në punë. Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00, ashtu si ditët e fundit.

banner

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të “Trafikut Urban”.

Nga sektori privat, Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së autobusëve privatë, u ka bërë thirrje institucioneve që të përshpejtojnë bartjen e mjeteve. “Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës, të hënën nuk pati deklarime për këtë situatë. Ndërkohë, hulumtues nga Instituti GAP paralajmërojnë se pritjet që problemet buxhetore të zgjidhen brenda ditës janë të pabazuara.

Që një javë, kryeqyteti ka mbetur pa qarkullim të autobusëve publikë, duke detyruar banorët e Prishtinës të gjejnë mënyra alternative për transportin e përditshëm.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.