
Leonard Ademaj thotë se seanca ishte emocionalisht e rëndë për familjen dhe kërkon lejimin e elaborimit të provave.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka deklaruar se seanca e sotme gjyqësore ka qenë emocionalisht shumë e rëndë për familjen, pasi në sallën e gjyqit janë shfaqur pamjet e fundit të jetës së motrës së tij.
“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë, pasi i pamë videot e fundit të jetës së motrës sonë. Ajo që pamë sot tregon se të tre të akuzuarit e kanë planifikuar mirë ngjarjen, e cila ka ndodhur brenda vetëm shtatë minutash”, tha Ademaj.
Ai theksoi se pamjet e shfaqura në gjykatë e qartësojnë rolin e secilit të akuzuar. “Nga ajo që pamë sot, është e qartë se Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla janë organizatorët kryesorë të vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, u shpreh ai.
Ademaj falënderoi gjykatën për punën e deritanishme, por shprehu shqetësimin për moslejimin e elaborimit të provave nga ana e familjes së viktimës.
“Ajo që na brengosi sot ishte moslejimi i elaborimit të provave nga ana jonë. Për ne, elaborimi i provave është jetik, sepse ndihmon në qartësimin e rolit kyç të Kushtrim Kokallës, bashkëpunimin me Naimin dhe rrugëtimin e tyre”, tha ai.
Sipas tij, familja do të kërkojë nga gjykata që të lejojë elaborimin e provave, pasi ato, siç u shpreh, ndihmojnë në sqarimin e plotë të organizimit profesional të grupit për vrasjen e Liridona Ademajt.



