
Deputeti i LDK-së thotë se vendimet arbitrare dhe ligjet jokushtetuese të qeverisë kanë detyruar partinë të fokusohet në parandalimin e dëmeve për ekonomi, shoqëri dhe shtet.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen katërvjeçare të Vetëvendosjes, duke e cilësuar atë si shkak të vendimeve arbitrare dhe ligjeve jokushtetuese që kanë dëmtuar ekonominë, shoqërinë dhe integritetin shtetëror të Kosovës, raporton GazetaBlic.
Hoti tha se LDK-ja, gjatë këtij mandati, ka qenë e detyruar të monitorojë dhe të parandalojë këto dëme, duke dërguar shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, ku shumica janë shpallur jokushtetuese. Ai shtoi se ankesa e LDK-së në PZAP lidhur me votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike ka për qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të shtetit.
“Është naive të mendohet se integriteti i procesit të votimit mund të sigurohet në objekte private në shtete të huaja. Ankesa e LDK-së synon ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe të shtetit,” tha Hoti, duke kritikuar reagimin e qeverisë ndaj vendimit të PZAP-së.
Ai shtoi se çdo debat me qeverinë për këtë çështje është i kotë dhe bëri thirrje që “këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë”.
Hoti theksoi se në një qeverisje normale dhe demokratike, aktiviteti opozitar do të ishte fokusuar në dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e politikave qeverisëse, por situata aktuale e ka detyruar LDK-në të veprojë në mënyrë mbrojtëse për të siguruar integritetin e vendit dhe procesin zgjedhor.



