
Augustin Palokaj, korrespodent i mediumit “KOHA” në Bruksel, ka komentuar vizitën e Peter Sorensenit, i dërguar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë.
Sipas Palokaj, Sorensen po e teston terrenin.
Tutje, Palokaj ka vlerësuar se vizita e Sorensenit është sinjal që BE-ja dëshiron vazhdimin e dialogut.
“Atij (Peter Sorensen) po i skadon mandati së shpejti ndërkohë që ia kanë vazhduar për së paku edhe dy vite. Nuk ka dyshim qe BE-ja dëshiron që procesi të vazhdojë. Procesi nuk ka sjellur asnjë fryt në vitin 2025. Ka pritje që të ringjallet. Kur thuhet kjo, në një mënyrë është pranim se dialogu është pothuajse i vdekur dhe nuk ka pasur lëvizje të duhura deri më tash. Kanë kaluar më shumë se dy vite prej kur është zhvilluar takimi i fundit në nivel të lartë në proces të dialogut dhe pa këso takime nuk mund të ketë asnjë lëvizje domethënëse në procesin e dialogut. Kjo në një mënyrë është edhe dështim i përfaqësueses së lartë të BE-së Kaja Kallas e cila është në këtë post për më shumë se një vit dhe nuk ka organizuar asnjë takim”, ka thënë Palokaj në “Interaktiv” në KTV.



