
Presidentja e Kosovës lavdëroi raportet me SHBA-në dhe theksoi se Serbia mbetet burim tensionesh në rajon.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dha një intervistë për televizionin republikan Fox News, ku foli për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Osmani tha se që nga viti 1999, kur trupat amerikane erdhën në Kosovë, populli kosovar është thellësisht mirënjohës ndaj SHBA-ve. “Që prej vitit 1999 kur ushtarët amerikanë erdhën për të ruajtur jetët tona. Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Amerika nuk qëndroi mënjanë dhe nuk mbylli njërin sy në përpjekjen tonë për të mbijetuar derisa po përjetonim gjenocid, por erdhi që të na shpëtojë dhe të na japë të drejtën që të jemi të lirë. Sot, 95% e popullit tonë janë pro-amerikan dhe besojnë në lidershipin amerikan”, u shpreh ajo.
Duke folur për sfidat e brendshme, Osmani theksoi se Kosova vazhdon të ketë telashe me Serbinë, të cilën e akuzoi se shpesh shkakton tensione në rajon. “Ne kemi një fqinj që shkakton probleme kohë pas kohe. Në të kaluarën, Serbia ka shkaktuar një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘Kasapi i Ballkanit’ – Millosheviq. Ka ende njerëz në lidershipin serb që dëshirojnë të kthehen në të kaluarën, derisa ne shikojmë drejt së ardhmes”, tha presidentja.
Ajo përmendi gjithashtu se SHBA-të, nën administratën e presidentit Donald Trump, kishin luajtur rol kyç në parandalimin e përshkallëzimeve të mundshme në Kosovë. “Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në një paqe të qëndrueshme. Në shtator të vitit 2023, kishte një agresion serb kundër Republikës së Kosovës. Ne e menaxhuam situatën me ndihmën e aleatëve tanë, derisa mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që na vjen nga Serbia. Në maj po ashtu kishte një përpjekje për ngritje tensionesh dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar eskalimin”, deklaroi Osmani.
Intervistën në Fox News, Osmani e shpërndau edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një mundësi për të theksuar miqësinë e palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-së.



