
Shërbimi Sekret i SHBA-së ka njoftuar të dielën se një burrë i armatosur është qëlluar dhe është vrarë pasi kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë të Mar-a-Lago, resortit të presidentit Donald Trump në Palm Beach, Florida.
Edhe pse Trumpi zakonisht kalon fundjavët në resortin e tij, ai ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij incidenti. Zonja e Parë, Melania Trump, ishte gjithashtu me presidentin në Shtëpinë e Bardhë të shtunën në mbrëmje.
Emri i personit që është qëlluar nuk është bërë publik. Sipas Shërbimit Sekret, ai “ishte vërejtur pranë portës veriore të pronës së Mar-a-Lago duke mbajtur atë që dukej si një pushkë dhe një bidon me karburant”.
Trump ka përballuar kërcënime ndaj jetës së tij më parë. Ai është plagosur gjatë një tentative atentati derisa po fliste në një tubim fushate në Butler, Pensilvani, më 13 korrik 2024.
Më pas, më 15 shtator 2024, një burrë me një pushkë u kap pasi po priste pranë fushës së golfit të Trumpit në West Palm Beach, ndërsa presidenti po luante. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në fillim të këtij muaji.



