
Presidenti serb kritikon administratën amerikane dhe kërkon qëndrim më të ashpër ndaj qeverisë së Albin Kurtit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Bordin e Paqes të themeluar nga Donald Trump.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane Süddeutsche Zeitung, Vuçiç tha se Osmani u shfaq “si yll” në këtë forum dhe shtoi se një gjë e tillë nuk ishte pritur nga administrata Trump.
“Shpresoj për një qëndrim më të vendosur kundër regjimit të (Kryeministrit Albin Kurti)… Ata po provokojnë të gjithë serbët në Kosovë dhe ekziston edhe i ashtuquajturi Bordi i Paqes ku Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shfaqet si yll. Ne nuk e prisnim këtë nga administrata Trump”, tha Vuçiç.
Në intervistë, presidenti serb hodhi poshtë edhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga autoritetet serbe ndaj studentëve protestues, duke pretenduar se dhuna ishte ushtruar ndaj policisë.
I pyetur nëse Serbia do të dëshironte përfitimet e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian pa presion për sundimin e ligjit dhe demokratizimin, Vuçiç u përgjigj se presioni duhet të vazhdojë.
“Ata duhet të jenë gjithmonë në gjendje të thonë – nuk jeni mjaftueshëm të mirë”, deklaroi ai.



