
Kryetari i Kuvendit të Kosovës reagon ndaj fjalëve të Ramës se “Vetëvendosje e do Thaçin përjetësisht në Hagë”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte thënë se “Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron Hashim Thaçin përjetësisht në Hagë”.
Në një intervistë për RTK, Basha e cilësoi këtë deklaratë si absurde dhe kërkoi nga Rama të pendohet dhe ta tërheqë atë, duke shtuar se “as vetë nuk e beson që e ka thënë”.
“Jo, është deklaratë absurde. Ai e ka thënë, mendoj që duhet me u pendu, pasi nuk e beson as ai vetë,” tha Basha.
“Na duhet një Shqipëri që punon për Kosovën, jo për Ballkanin e Hapur”.
I pyetur për raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të sinqertë mes dy shteteve shqiptare, duke shprehur zhgënjimin ndaj disa qëndrimeve të politikës zyrtare të Tiranës.
“Populli shqiptar në të dy anët e kufirit mendon që jemi vëllezër e motra, por politika është gabim. Na duhet një Shqipëri që nuk punon për Ballkanin e Hapur, pasi u dëshmua që ishte gabim.
Na duhet një Shqipëri që nuk punon për statutin e Asociacionit të serbëve në Kosovë, por kujdeset për shqiptarët në Luginë të Preshevës që diskriminohen çdo ditë,” theksoi ai.
Basha shtoi se Shqipëria duhet të mbajë qëndrim parimor në raport me Serbinë dhe të ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare:
“S’është e udhës të organizohen kampionate botërore me Serbinë, marrë parasysh raportet që i kemi. Duam një Shqipëri që punon për Kosovën si shtet të pavarur dhe që nuk i përcjell mesazhet e Vuçiqit.”
Polemika mes Ramës dhe Vetëvendosjes për Gjykatën Speciale
Reagimi i Bashës erdhi pas debatit të ndezur ndërmjet Edi Ramës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas protestës në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Vetëvendosje kishte kërkuar që Rama të tregojë reflektim për çështjen e Gjykatës Speciale dhe të ngrejë zërin në Këshillin e Evropës e OKB, në vend se të organizojë protesta.
Në reagimin e tij, Rama akuzoi Vetëvendosjen se po “shtrembëron qëndrimet e vjetra” për Specialen, duke thënë se ai vetë “e ka denoncuar farsën ndaj Thaçit dhe të tjerëve në çdo rast të mundshëm”.
“Vetëvendosja dihet sa ka lëvizur në atë drejtim. Nuk jam në garë me ta, por më vjen keq që ngatërrojnë marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale,” u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar tha se Gjykata Speciale u ngrit për të hetuar pretendimet për trafik organesh dhe jo për “të marrë peng presidentin e Kosovës”.



