
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar dërgimin e dekretit të Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shpërndarja e Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën, derisa njoftoi se sot, 6 mars, LVV do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Me kërkesën e Qeverisë sot në 14:00 ka qenë e ftuar një seancë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë rreth 100 milionë euro projekte me interes të qytetarëve”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se dekreti i Vjosa Osmanit është në shpërputhje me Kushtetutën.
Tutje, ai ka pretenduar se ky dekret cenon funksionimin e institucioneve.
“Veprimi i sotëm për të shpërndarë Kuvendin, është qartazi në kundërshtim me Kushtetutën. Veprim arbitrat, që bie ndesh me bazën juridike, cenon funksionimin e institucioneve. Kushtetuta nuk ka asnjë boshllëk për rrethanat e shpërndarjes së Kuvendit. Kushtetuta parasheh dy momente të shpërndarjes së Kuvendit: neni 86 paragrafi 6 ku pas nisjes së procedurës, edhe në rundin e tretë dështon zgjedhja e presidentit. Dhe rrethana e dytë është që pas fillimit të procedurës, brenda 60 ditëve nuk arrin të zgjedh një president. Jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor. Ne kemi dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, dhe përbën cenim të drejtpërdrejt të rendit kushtetues, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë kundër këtij dekreti dhe kërkesë për masë të përkohshme. Është për të ardhur keq që presidentja ndërmerr një vendim të tillë arbitrar në ditën e parë të afatit. E ka përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e secilit institucion. Data për shpalljen e zgjedhjeve do të ishte 4 maji” – tha Rrustemi.



