
Ka mbetur edhe një ditë, pra 24 orë, për të zyrtarizuar koalicionet parazgjedhore në mes partive politike. Deri tash ka pasur disa lëvizje nga partitë, me LDK-në e cila ka arritur dy bashkëpunime për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa VV-ja do të shkojë sërish me të njëjtat bashkëpunime. Çka ndodhi deri tani?
Ashtu sikurse kishte raportuar ditë më parë Gazeta Politika, sot u zyrtarizua bashkëpunimi parazgjedhur në mes LDK-së së Lumir Abdixhikut me Partinë e Drejtësisë së Ferid Aganit. PD-ja ka njoftuar se kandidatët e saj do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së.
“Zgjidhjen më të përshtatshme për përfaqësimin dinjitoz të vlerave, programit dhe përvojës shtetëndërtuese të Partisë së Drejtësisë në këto zgjedhje, duke siguruar qasje të përbashkët drejt përgjegjësisë publike dhe qeverisjes qendrore cilësore,
Partia e Drejtësisë thekson se ky vendim reflekton orientimin tonë të qartë drejt unitetit e bashkëpunimit politik, stabilitetit institucional dhe rritjes së mundësive për përfaqësim të vlerave të mirëfillta qytetare me profesionalizëm dhe integritet” – thuhet në njoftimin e PD-së, transmeton Gazeta Politika.
LDK-ja ka arritur edhe një bashkëpunim me AKR-në, që tash udhëhiqet nga Vesel Makolli, pasi Behgjet Pacolli dha dorëheqje muaj më parë.
“Po është e vërtetë, unë sot pasdite kisha takim me z.Abdixhiku, ku u morëm vesh të jemi pjesë e listës së tyre. Vendimin e kemi marrë pas përsiatjeve të situatës aktuale politike dhe pas sugjerimeve të presidentit tonë z. Behgjet Pacolli. Nënshkrimin e marrëveshjes do ta bëjmë në mënyrë ceremoniale të martën e ardhshme, deri atëherë do të merremi vesh për detajet e marrëveshjes” – u shpreh gjatë javës Makolli.
Ndërsa PDK-ja ka arritur një koalicion me një pjesë të Listës për Familje, që udhëhiqet nga Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe disa të tjerë.
“Respekti, mirëbesimi dhe përgjegjësia për Kosovën na kanë bashkuar gjithmonë. Duke u bazuar në këto vlera, sot kemi arritur një marrëveshje me Grupin e Deputetëve të Familjes, të cilët do të jenë pjesë e listës sonë zgjedhore” – shkroi Hamza në ditën e prezantimit të këtij koalicioni, transmeton Gazeta Politika.
Në anën tjetër, VV-ja nuk ka ndryshuar nga zgjedhjet e fundit. Sërish VV-ja do të garojë bashkë me GUXO-n dhe Alternativën, ndërsa nuk ka bërë ndonjë koalicion tjetër apo aderim. Edhe AAK-ja e ka konfirmuar se do të garojë e vetme.
Ndërsa NISMA e Fatmir Limajt që një kohë është në negociata për një koalicion parazgjedhor me LDK-në.
Sjellim ndërmend që nesër në ora 23:59 përfundon koha e zyrtarizimeve të koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.



