
Ish-ambasadori amerikan rrëfen se Hashim Thaçi nuk ishte zemëruar kurrë me kritikat e tij, duke theksuar se ato i kishte bërë për të mirën e Kosovës.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, William Walker, ka rrëfyer në një emision të televizionit se marrëdhënia e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi ishte forcuar pikërisht për shkak të kritikave që ai i kishte bërë qeverisjes së tij.
Walker tha se për një periudhë të gjatë kishte qenë kritik ndaj Thaçit dhe qeverisë së tij, sidomos për shkak të raportimeve për korrupsion në radhët e disa ministrave. Ai po ashtu kishte kundërshtuar disa lëshime që, sipas tij, po u bëheshin kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Deri vonë isha kritik me Hashim Thaçin dhe qeverinë e tij. Dëgjoja storie korrupsioni, jo kundër tij personalisht, por ndaj disa ministrave dhe isha kritik. Mendoja se po bëheshin shumë lëshime ndaj kërkesave të ShBA-së dhe BE-së,” ka deklaruar Walker.
Sipas tij, rreth dhjetë vite më parë, gjatë një takimi në Kosovë, Thaçi i kishte sqaruar se nuk ishte i zemëruar me kritikat e tij, pasi i kuptonte ato si përpjekje për të mirën e vendit.
“Kur erdha këtu rreth 10 vite më parë, ai më shpjegoi se nuk ishte i zemëruar me mua dhe kritikat e mia ndaj qeverisë së tij, sepse e kuptonte që unë po e bëja për të mirën e Kosovës. Më pas, ne u bëmë miq shumë të mirë që nga ajo kohë,” ka shtuar ish-ambasadori.
Walker theksoi se dialogu i hapur dhe kritikat konstruktive janë të domosdoshme për ndërtimin e institucioneve të forta dhe demokratike në Kosovë.



