Washington DC e shpall si datë zyrtare 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Kryetarja Muriel Bowser vlerëson përparimin e Kosovës që nga viti 2008, Ambasada në SHBA shpreh mirënjohje publike.

Ambasada e Kosovës në Washington DC ka njoftuar se kryetarja e kryeqytetit amerikan, Muriel Bowser, ka shpallur zyrtarisht 17 shkurtin 2026 si “Ditën e Pavarësisë së Kosovës” në Washington, DC.

banner

Në vendimin e saj, Bowser thekson se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka shënuar përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Ajo po ashtu vlerëson lidhjen e veçantë dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe partneritet afatgjatë, si dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën kulturore dhe qytetare të Washingtonit.

“Në përkujtim të 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, shpall 17 shkurtin 2026 si ‘Ditën e Pavarësisë së Kosovës’ në Washington, DC”, thuhet në proklamatën zyrtare të kryetares Bowser.

Ambasada e Kosovës në SHBA e ka falënderuar publikisht kryetaren Bowser përmes një reagimi në rrjetin social “X”.

“Faleminderit kryetarja Bowser që njohët zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Uashington, D.C.”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.