
Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në Lindjen e Mesme, ka shkruar “Washington Post”, duke cituar tre zyrtarë të afërt me inteligjencën.
Shkalla e mbështetjes e Rusisë për Iranin nuk është plotësisht e qartë, porse aftësia e ushtrisë iraniane për t’i lokalizuar forcat amerikane është degraduar qëkur SHBA-ja dhe Izraeli i kanë nisur sulmet kundër Iranit javën e kaluar, ka shkruar gazeta.
Lufta është përshkallëzuar, duke shkaktuar sulme hakmarrëse nga Irani që në shënjestër kanë pasur edhe fqinjët e tij, shtete kryesisht aleate të SHBA-së në të cilat ka baza amerikane.
Ushtria amerikane ka identifikuar gjashtë ushtarë rezervistë të vrarë në Kuvajt, kur një dron është përplasur në një strukturë ushtarake amerikane në Port Shuaiba.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë paralajmëruar se konflikti mund të rezultojë me më shumë ushtarë të vdekur amerikanë.
Ndërkaq në Kremlinin zyrtar kanë thënë se janë në dialog me përfaqësuesit e udhëheqjes iraniane, porse nuk kanë pranuar të përgjigjen nëse Rusia është duke e ndihmuar Iranin.



