Wesley Clark, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit

Dëshmia e gjeneralit amerikan pritet të nisë më 18 nëntor dhe të përfundojë më 21 nëntor, duke shënuar mbylljen e fazës së dëshmive të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës.

Gjenerali i njohur amerikan, Wesley Clark, pritet të jetë dëshmitari i fundit në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

banner

Sipas zëdhënësit të Gjykatës, Michael Doyle, dëshmia e Clarkut do të nisë më 18 nëntor pasdite dhe, sipas planifikimeve, do të përfundojë më 21 nëntor. “Trupi gjykues ka miratuar kërkesat e mbrojtjes së Thaçit për zhvillimin e seancave gjatë kësaj jave, duke përfshirë edhe dëshminë e gjeneralit Clark, i cili është dëshmitari i fundit që mbrojtja e planifikon të thërrasë”, tha Doyle.

Ai shtoi se pas shqyrtimit të kohës së nevojshme për dëshminë e Clarkut, trupi gjykues ka rezervuar një ditë shtesë, më 21 nëntor, për ta përmbyllur këtë fazë.

Me dëshminë e ish-komandantit të forcave të NATO-s gjatë ndërhyrjes në Kosovë më 1999, pritet të mbyllet zyrtarisht paraqitja e dëshmitarëve nga mbrojtja e Thaçit. Deri më tani kanë dëshmuar katër dëshmitarë ndërkombëtarë: ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin; këshilltari i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams; ish-këshilltari i Clarkut, John Duncan; dhe ish-zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Jock Covey.

Para dëshmisë së Clarkut, do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë nga 10 nëntori, me seancën e parë që fillon në orën 14:00 të hënën.

Pas përfundimit të dëshmive, pritet që procesi të kalojë në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi përfundimtar ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve të tij mund të shpallet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.