
Pas 12 viteve në krye të Komunës së Obiliqit, Gashi synon të shërbejë në Kuvendin e Kosovës.
Xhafer Gashi, ish-kryetar i Komunës së Obiliqit, ka njoftuar se do të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gashi kishte ofruar dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet lokale për kryetar të Obiliqit, por më pas u bind të mbetej në funksionet e tij brenda LDK-së.
“Pas 12 viteve angazhim si Kryetar i Komunës së Obiliqit, kam pasur fatin që me punë dhe përkushtim të kontribuoj në transformimin e qytetit tonë. Gjatë këtyre viteve kam dhënë maksimumin në zhvillimin e komunës, në zbatimin e ligjeve dhe realizimin e projekteve të rëndësishme, duke punuar gjithmonë me përgjegjësi dhe në shërbim të qytetarëve të Obiliqit”, shkruan Gashi në Facebook.
Ai shtoi se tashmë ka ardhur koha për një hap të ri: “Do të jem kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, me synimin që t’u shërbej me përkushtim të gjithë qytetarëve”.



