Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri

Tahiri thotë se dorëheqja vjen për t’i hapur rrugë energjive të reja në degë, ndërsa paralajmëron angazhim të mëtejmë në Kryesinë Qendrore dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur sot se ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri. Në një njoftim publik, Tahiri tha se ky vendim është marrë “me dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike”, duke theksuar se nuk vjen as nga lodhja e as nga zhgënjimi.

banner

Tahiri deklaroi se dorëheqja ka të bëjë vetëm me postin e kryetarit të degës, ndërsa ai do të vazhdojë angazhimin në Kryesinë Qendrore dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Sipas tij, udhëheqja duhet të dijë “jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja”.

Duke reflektuar mbi karrierën e tij politike, ai kujtoi rrugëtimin që nga viti 2009, kur mori drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri, e më pas në nivel qendror, deri te periudha kur udhëhoqi komunën gjatë viteve 2017–2021. Tahiri tha se mbetet krenar për punën e bërë dhe projektet që, sipas tij, kanë lënë gjurmë në qytet.

Ai publikoi edhe rezultatet elektorale të viteve të fundit, duke veçuar vitin 2017 si momentin kur u zgjodh i vetmi kryetar komune i LDK-së në rajonin e Mitrovicës në dy dekadat e fundit, çka e konsideroi si “besim që nuk harrohet”.

Tahiri pranoi se rezultati zgjedhor i vitit 2025 nuk ka qenë ai i dëshiruari, por shtoi se kjo nuk e zbeh vlerën e punës së bërë dhe as përkushtimin ndaj Vushtrrisë dhe LDK-së. Ai falënderoi qytetarët dhe strukturat e partisë për mbështetjen shumëvjeçare, duke theksuar se LDK për të nuk është thjeshtë parti politike, por “vlerë, amanet dhe rrugëtim jete”.

Në fund, Tahiri u zotua se do të vazhdojë punën për LDK-në dhe Vushtrrinë në nivel qendror, duke shprehur bindjen se rruga e bashkëpunimit do të vazhdojë të sjellë të mira për qytetin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.