
Ajo kujton rastin kur Obama mbajti republikanin Robert Gates si Sekretar të Mbrojtjes për të ruajtur stabilitetin institucional.
Gazetarja dhe analistja Arbana Xharra ka reaguar lidhur me debatet politike në Kosovë, duke theksuar se interesat e shtetit duhet të vendosen mbi përkatësitë partiake.
Në një reagim publik, Xharra solli si shembull një rast nga politika amerikane, kur ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama, pasi erdhi në pushtet në vitin 2008, mbajti në një nga pozitat më të rëndësishme të sigurisë kombëtare një republikan me përvojë.
Sipas saj, Robert Gates, i cili kishte shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes edhe në administratën e George W. Bush, vazhdoi në të njëjtën detyrë edhe gjatë presidencës së Obamës për të siguruar stabilitet dhe vazhdimësi në një moment të ndjeshëm për politikën ndërkombëtare dhe sigurinë.
Duke e lidhur këtë shembull me zhvillimet në Kosovë, Xharra tha se largimi i Vlora Çitaku nga pozita e ambasadores së Kosovës në Washington ishte një gabim.
Sipas saj, Çitaku kishte arritur të përfaqësojë Kosovën me dinjitet dhe të ndërtojë lidhje të rëndësishme në qarqet politike amerikane, duke marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme dhe duke krijuar rrjete ndikimi për vendin.
Xharra theksoi gjithashtu se Kosova ka pak pozita përmes të cilave mund të ndërtojë autoritet dhe ndikim ndërkombëtar, duke përmendur në veçanti rolin e presidentit të vendit.
Në këtë kontekst, ajo u shpreh se Vjosa Osmani duhet të vazhdojë mandatin e saj si presidente, duke vlerësuar se kjo do të ishte në interes të Kosovës.
“Inatet personale apo partiake duhet të lihen mënjanë kur bëhet fjalë për interesin e shtetit”, ka theksuar Xharra.



