
Ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit thotë se vendimi për zgjedhjet më 28 dhjetor tregon frikë nga diaspora dhe perceptim negativ të elektoratit ndaj VV-së.
Ish-bashkëpartiaku i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, Visar Ymeri, ka deklaruar për “Front Online” se vendi po përballet me një ngërç politik dhe institucional, ndërkohë që zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë një test për të gjitha partitë.
“Çdo parti duhet të ketë një plan të qartë se si do të tejkalojë ngërçin, pasi përgjegjësia ndaj situatës nuk është e njëjtë për të gjithë,” tha Ymeri.
Ai shtoi se përkrahja për Vetëvendosje mund të pësojë rënie. “Është vështirë të thuhet nëse përkrahja për VV ose cilëndo prej partive do të mbetet e njëjtë apo do të lëviz. Logjika e thotë se VV do të kenë rënie shtesë në përqindje meqë kjo rënie ka qenë e vazhdueshme për një kohë të gjatë,” theksoi Ymeri.
Sipas tij, zgjedhjet e caktuara më 28 dhjetor, kur pjesëmarrja e diasporës është më e madhe, tregojnë edhe frikën e partisë. “Koha e mbajtjes së zgjedhjeve dhe mënyra e shkuarjes në zgjedhje e ndikojnë rezultatin. Fakti që VV ka insistuar që zgjedhjet të jenë më 28 dhjetor flet edhe për frikën e VV-së nga vota e votuesve që jetojnë këtu, por edhe për nevojën që të krijojë përshtypjen e fitores së padiskutueshme,” u shpreh Ymeri.
Ai theksoi gjithashtu se bllokimi i themelimit të institucioneve ka ndryshuar perceptimin e elektoratit ndaj Vetëvendosjes. “Bllokimi i themelimit të institucioneve ka ndikuar që VV sot të shikohet me sy tjerë nga elektorati: edhe si moskokëçarëse ndaj interesit të vendit edhe e pa aftë për të bërë marrëveshje politike,” përfundoi Ymeri.



