
Aktivistja thekson se moderatorët nuk duhet të jenë shënjestër e pushtetit dhe mbështet qasjen profesionale të Kërqukit.
Aktivistja Zana Avdiu ka dalë në mbrojtje të gazetarit dhe moderatorit Leonard Kërquki, pas sulmit nga ministrja e Jashtme e Diasporës, duke e cilësuar atë si “një nga gazetarët dhe moderatorët më korrektë në skenën mediale”.
Avdiu thekson se Kërquki është ndoshta i vetmi që përdor gjithmonë një gjuhë të matur dhe korrekte ndaj të gjithëve, nuk është toksik, nuk shpif dhe nuk akuzon asnjëherë pa bazë.
Ajo shton se moderatorët nuk duhet të jenë shënjestër e pushtetit, duke nënvizuar sfidat e transmetimeve të drejtpërdrejta.
“Në një emision që transmetohet drejtpërdrejt është e pamundur të kontrollohet çdo shprehje apo ton i panelistëve në kohë reale. E vetmja ndërhyrje e mundshme në raste të tensionuara mbetet ndërprerja e transmetimit, ashtu si ndodhi edhe mbrëmë”, tha Avdiu.
Deklarata e saj vjen pas debatit për gjuhën e përdorur ndaj Kërqukut dhe mediave në përgjithësi, duke rikthyer fokusin te rëndësia e profesionalizmit dhe respektit në punën mediale.



