
Zbatimi i Ligjit për të huajt do të nisë nga nesër, por me disa masa shtesë, përfshirë dhënien e lejes nga Qeveria e Kosovës për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për punëtorët arsimorë e shëndetësorë dhe studentët serbë, ka konfirmuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Në një konferencë për shtyp të shtunën pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Sorenseni ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Ligjit dhe përpjekjet për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.
Por Sorenseni ka theksuar se procesi i ndryshimeve ligjore kërkon kohë, por ka përshëndetur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e kryeministrit Kurti për zbatimin e ligjeve, pa ndërprerë funksionimin e shërbimeve bazë (arsimi, shëndetësia) për komunitetin serb.
“Prioritet kyç i Qeverisë është sigurimi i lejeve për punëtorë dhe studentë për periudhë fillestare 12 muaj, për të mos penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore… qeveria duhet t’i regjistrojë individët në harmoni me ligjin e Kosovës”, ka thënë Sorensen.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit serb për të siguruar pajtimin e tyre dhe zbatimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ligji për të huajt dhe ai për automjetet pritet të nisë së zbatuari nga nesër, pasi u shty dy herë.
Ligji për të huajt parasheh që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.
Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.
Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.
Sa i përket zbatimit të Ligjit për automjetet, heqja e targave serbe më 2022-2023, disa prej tyre i riregjistruan me targa të qyteteve të Serbisë dhe i vozisin në Kosovë me autorizime. Në autorizime gjenden letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, që Kosova zyrtare nuk i njeh.
Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.
Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.
E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.
“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.
Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.



