
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “RTS” ka thënë se ka një shkallë shqetësimi lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Vuçiq ka thënë se për këtë ka biseduar në Indi me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
“Nuk jam Donald Trump, Vladimir Putin, presidentë të mëdhenj që i zgjidhin të gjitha me lehtësi. Për mua nuk ka gjëra të lehta dhe natyrisht që kam frikë. Unë dua paqe, jo luftë dhe konflikte”, tha Vuçiq.
Në mars të vitit të kaluar Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
“Nga askund shfaqet bashkëpunimi ushtarak, aleanca ushtarake mes Prishtinës dhe Zagrebit. Kur krijoni një aleancë ushtarake me një entitet dhe nuk keni shpjegim pse e keni bërë, ndërsa për ne është e qartë pse, sigurisht që ekziston një dozë shqetësimi”, tha Vuçiq.
Ai tregoi se Plenkoviqi i tha se ky bashkëpunim nuk është i drejtuar kundër Serbisë dhe se ne “po i japim shumë rëndësi kësaj”.
“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende atë dozë shqetësimi dhe frike? Kam”, tha Vuçiq.
Duke folur për balancën ushtarake në rajon, Vuçiqi theksoi se Serbia nuk e nënvlerëson forcën e të tjerëve, por as ushtrinë e saj.
“Për një vit dëgjoni historinë se Serbia ka blerë ‘Rafale’ të përdorur, ndërsa ata të rinj, se do të marrin raketat ‘Meteor’ dhe se janë gjithnjë e më të fortë se ne. Ne heshtim. Unë them – po, sepse jeni të fortë, prandaj edhe kam atë dozë frike kur formoni aleanca ushtarake”, tha Vuçiq.
Ai tha se Serbia posedon kapacitete ushtarake që nuk janë paraqitur publikisht.
“Nuk do ta nënvlerësoja forcën e Ushtrisë së Serbisë, e aq më pak të tyre. U habitën kur panë se ne kemi ato raketa. Kemi edhe gjëra që nuk i tregojmë”, tha Vuçiq.
Duke folur për pajisjen e Ushtrisë së Serbisë dhe deklaratën e Andrej Plenkoviq, Vuçiq tha se Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia. Ai theksoi se Serbia po përgatitet të sulmohet nga një aleancë që formojnë Prishtina, Tirana dhe Zagrebi.
Ai vlerësoi se “ata po presin momentin kur do të na sulmojnë”.
Serbia ka mjaftueshëm fuqi parandaluese për dy shtete dhe një entitet, dhe Serbia është mjaftueshëm e fortë për ta ruajtur integritetin e saj territorial”, tha Vuçiq.
Vuçiqi në intervistë foli për Kosovën dhe tha se “një numër i madh serbësh, rrezikohen në Kosovë me zbatimin e ligjit për të huajt”.
Ai paralajmëroi “se do të shkojë të bisedojë me popullin” dhe tha se “më të varfrit në Kosovë do të marrin ndihmë të njëhershme”.
Ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Tha se në Kosovë është hapur kutia e Pandorës.



