
Presidentja e Kosovës u takua me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, duke riafirmuar angazhimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim në Nju Jork me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, me të cilin disa ditë më parë kishte pasur edhe një bisedë telefonike.
Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë aleancë si shtyllën kryesore të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit rajonal.
“Pas një bisede telefonike përmbajtësore të zhvilluar ditë më parë, u takova në Nju Jork me z. Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit”, shkroi Osmani.
Presidentja shtoi se “rithëksoi rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik. Mbetem e përkushtuar ta mbroj dhe forcoj këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok.”



