
Themeluesi i Telegramit thotë se ka mbi 100 fëmijë dhe ofron mbulim të kostove të IVF-së për gratë nën 37 vjeç.
Miliarderi dhe themeluesi i aplikacionit Telegram, Pavel Durov, ka bërë të ditur se prej vitesh po dhuron spermën e tij si pjesë e një nisme personale për të ndihmuar në përballimin e krizës së fertilitetit. Sipas tij, nga këto donacione kanë lindur më shumë se 100 fëmijë në vende të ndryshme të botës.
Durov ka deklaruar se do të mbulojë shpenzimet e fertilizimit in vitro (IVF) për gratë nën moshën 37-vjeçare që dëshirojnë të përdorin spermën e tij të dhuruar, duke e cilësuar këtë si një kontribut social për gratë dhe çiftet që përballen me vështirësi për të pasur fëmijë.
Ai po ashtu ka premtuar se të gjithë fëmijët e tij biologjikë do të kenë të drejtë në pjesë nga pasuria e tij në të ardhmen, duke theksuar se do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Deklaratat e Durovit kanë nxitur reagime dhe debate të shumta në opinionin publik, veçanërisht mbi aspektet etike, sociale dhe ligjore të kësaj nisme.
Megjithatë, Durov ka insistuar se veprimet e tij burojnë nga bindja personale se teknologjia, pasuria dhe shkenca duhet të shërbejnë për të ndihmuar shoqërinë në zgjidhjen e sfidave demografike globale.



